Barcelona është kurorëzuar si fitues i La Liga për herë të 26-të në histori.
Kur kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i kampionatit, katalanasit kanë siguruar edhe matematikisht titullin. “Kurorëzimi”, i cili është edhe i dyti radhazi erdhi pas fitores 1-0 ndaj Levantes. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Lionel Messi në minutën e 62-të të takimit.
“Pleshti” argjentinas shfrytëzoi në maksimum një aksion të gjatë të shokëve të tij për të tundur rrjetën. Kaq mjaftoi dhe Barcelona është në delir.
Ky është titulli i 8-të në 11 vitet e fundit, ndërsa ka mundësinë për tu thelluar akoma më shumë distancën me ndjekësit. Me 9 pikë në dispozicion, Barcelona mund të shkojë në kuotën e 92 pikëve.
Ndërkohë, me këtë gol, Messi ngjitet në kuotën e 34 golave në kampionat, duke udhëhequr garën për “Këpucën e Artë” në Europë.