Shoqata Sindikale e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia”, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues të Shkollës dhe Këshillin e Prindërve, ka bërë të ditur se sot në 10 shkurt procesi mësimor nuk do të zhvillohet gjatë dy orëve të para. Kjo ndërprerje vjen si pasojë e organizimit të një proteste nga ana e mësuesve.
Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, Shoqata Sindikale ka theksuar se protesta synon të shprehë pakënaqësinë dhe shqetësimin lidhur me sjelljet problematike të disa nxënësve në kuadër të procesit edukativo-arsimor. Në reagim thuhet se raste të shumta të dhunës fizike, fyerjeve, ofendimeve dhe gjuhës denigruese ndaj mësuesve po cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e stafit arsimor.
Organizatorët kanë bërë të ditur se pas përfundimit të protestës, mësimi do të rifillojë normalisht nga ora e tretë, duke vazhduar sipas orarit të rregullt mësimor.
Në mbështetje të mësuesit ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e cila e konsideron protestën si një formë presioni ndaj institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë veprime të menjëhershme. SBASHK ka kërkuar krijimin e një mjedisi të sigurt, të qetë dhe respektues për mësuesit, duke theksuar se pa siguri dhe respekt nuk mund të ketë arsim cilësor.
Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar se mësuesi i dyshuar për ushtrim dhune ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë është ndaluar për 48 orë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të hënën. Lajmin për ndalimin e mësuesit e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, duke bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë dhe se hetimet janë në vazhdim.
