Presidenti Ilir Meta shfuqizoi pasditen e djeshme dekretin për datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019. Përmes një deklarate për shtyp presidenti Meta rendit 5 arsyet pse vendosi të ndërmarrë vendimin ndërsa informon se më 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi. Vendimi i kreut të shtetit në Shqipëri nuk po bën bujë vetëm në Shqipëri, por edhe në mediat më të njohura ndërkombëtare. Media si “New York Times”, “Washington Post”, “Abc”, “AP” etj i kanë bërë jehonë vendimit të presidentit Meta. Në artikujt e tyre, gazetat në fjalë shprehen ndër të tjera se, ky vendim kërkon shmangjen e konfliktit politik dhe social në Shqipëri. Por edhe pse Presidenti Ilir Meta tha se do të anulojë datën e zgjedhjeve lokale të parashikuara për t’u mbajtur me 30 qershor, kryeministri Edi Rama vijon axhendën e tij elektorale. Kryeministri do të jetë sot paradite në Burrel dhe pasdite në Dibër për të prezantuar kandidatët për kryetar bashkie në këto dy qytetet. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi do të jenë në kryeministri kur do të kenë në mesditë një takim me të gjithë juristët e PS të angazhuar në procesin zgjedhor.
Postime te ngjashme
Add A Comment