Pas përfundimit të takimeve intensive këtë paradite në një konferencë urgjente për mediat Presidenti Ilir Meta bëri të ditur se ka dekretuar si datë të re të zgjedhjeve vendore 13 tetorin.
Ai tha se qëndrimi i tij është i qartë, në Shqipëri më 13 tetor nuk do të ketë zgjedhje shtetërore por zgjedhjet ligjore. Një nga arsyet e kësaj date për kreun e shtetit është dhe që palët të kenë mundësi të gjejnë konsensus dhe e dyta garantimin e vazhdimësisë së integrimit evropian.
Ai tha se kryeministri Edi Rama gjatë komunikimeve i kishte thënë se ishte i zënë me takime elektorale nga ora 07.00 e më pas, dhe për këtë kishte zgjedhur në komunikimin zyrtar si orar takimi dhe orën 05.00 të mëngjesit.
“U detyrova që të bëjë takimin në pesë të mëngjesit deri në orën 13.00 duke besuar se 5.00 deri në 7.00 është vështirë të organizosh takime elektorale, por kam qenë i gatshëm në çdo kohë për të biseduar se nuk ka gjë më të rëndësishme se stabiliteti i vendit, paqja sociale sesa kredencialet demokratike të Shqipërisë, se sa e ardhmja evropiane, se sa integriteti i Shqipërisë si një vend që do të drejtojë OSBE vitin që vjen dhe që duhet të jetë shembull dhe për zgjedhjet, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Meta.