Nga: Ylli Manjani
Ilir Meta ishte presidenti që i funksionuan letrat, por jo fjala. Në 5 vjeçarin e presidencës së Tij, vendosi disa precedentë në sjelljen shtetërore të Presidentit të Republikës. Dekretimi me sy të mbyllur i ministrave nga ana e Presidentit, duket se ka marrë goditje nga precedenti “Caka” që vendosi Meta. Ky precedent u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Me përjashtim të lajthimit ligjor të firmosjes së një dekreti në Stamboll, kur teksti i dekretit shkruan se u firmos në Tiranë, çdo dekret tjetër ka qenë korrekt dhe një përpjekje permanente për të ruajtur standartet kushtetuese në vend. Standarte që cilat kanë marrë goditje të rëndë nga qeverisja moniste dhe pushteti mafioz në vend. Duhet të kuptojmë se roli i Presidentit është shumë i kufizuar në punët e përditshme të Republikës, por shkresërisht presidenca e Metës ishte korrekte. Ilir Meta dhe presidenca e tij ishin katastrofë në komunikim. Publiku, që zakonisht as lexon e as kupton nga letrat, e përceptoi keq dhe shumë keq sjelljen e presidentit Meta.
Sipas Barometrit të Euronews, 88% e shqiptarëve nuk do ta donin Ilir Metën në një mandat të dytë në Presidencë. Kjo shifër tregon qartë se sa keq është përceptuar sjellja e Metës President. Në fakt komunikimi i Tij në publike batuta kafeneje, shfaqja e shpeshtë në media në breaking news, në ndonjë rast edhe i pirë e kanë dhënë efektin në përceptim. Disa deklarime të Tij në publik duhet të ishin evituar, ashtu siç duhej evituar “armiqësia publike” me Dvoranin. Pakënaqësinë me reformën Meta duhet ta kishte dhe ta ketë me veten dhe me Ramën. Këtë reformë e kanë bërë të dy. Dvorani ishte dhe është kontribues, jo fajtor.
Megjithatë e gjykoj me keqardhje sjelljen presidenciale të Metës, sepse në thelb sjellja shtetërore e Tij ka qenë korrekte. Por publikut ka dashur ti japë idenë e një Presidenti “popullor”, ide të cilën e realizoi shumë keq. Identifikimi i “armiqve” publikë ishte shpesh i gabuar ose i tepruar. Përdorimi i kallëzimeve penale ishte shkatërrimtar për autoritetin e Presidentit. Ilir Meta hyri në Presidencë si politikan aktiv dhe në vetvete i tillë mbeti, pavarësisht se me duar të lidhura për shkak të detyrës. Pikërisht për shkak të kësaj gjendje duarlidhje, pra të drejtimit të LSI në distancë, kësaj të fundit i bëri dëm të jashtëzakonshëm. Njerëzit e përceptuan gjithnjë e më shumë se nuk është më ai Iliri i ekipit, por një egoist për pushtetin e Tij.
Bindja ime e shprehur në publik se kostumi i Presidentit Metës i rri ngushtë, mu provua.
Meta ishte dhe mbeti vendimmarrës në LSI edhe gjatë presidencës. Fshehja pas “paaftësisë” së Monikës, apo “fjalës së pambajtur” të Petrit Vasilit nuk e nderon atë. Të gjitha vendimet i ka marrë vetë. Edhe atë të djegies së mandateve. Katastrofa elektorale e LSI është përgjegjësi e Tij. Ishte e pritshme. Ishte e dukshme që pa ndodhur. Sherri i paprecedentë që hapie Luan Ramën në mes të fushatës elektorale është prova e pamohueshme që Meta ishte dhe mbeti vendimmarrës në LSI dhe përgjegjës për ato vendime. Si President ai do mbahet mend për dualizmin e Tij nga letrat tek fjalët, por do mbahet mend edhe si Presidenti që u përplas më shumë se çdo tjetër me qeverinë. Dy herë u shqyrtua nisma për shkarkimin e Tij dhe, në të dy herët fitoi. Më në fund, them se mirë apo keq e kishim një President, nga sot më duket se sdo kemi fare.