Ilir Meta ka ngritur shqetësimin për vlerën e parave të marra borxh nga shteti.
Kreu i Partisë së Lirisë shprehet se shifrat e borxhit këto 10 vite nga qeveria janë me miliarda. Sipas tij, ky është një alarm që duhet të shqetësojë çdo shqiptar.
“Borxhi Publik i Shqipërisë është në kushtet më të pafavorshme dhe ky është një alarm që duhet të shqetësojë çdo shqiptar. Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2024 do të arrijë një shumë të jashtëzakonshme, në 118.2 miliardë lekë apo 1,1 miliardë euro. Totali i kostos së shërbimit të borxhit (interesa + principal) do të jetë pothuajse i barabartë për vitin e ardhshëm me buxhetin e tre ministrive, të Bujqësisë, të Arsimit dhe të Infrastrukturës dhe Energjisë të marra së bashku. Miliarda euro janë marrë borxhe këto 10 vite nga Qeveria, veçse për t’i grabitur përmes koncesioneve, përmes qindra e mijëra tenderave abuzues dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve dhe mirëqenies së tyre. Ky borxh ka nxitur shpopullimin e vendit dhe nuk ka rritur mirëqenien e qytetarëve, nuk ka luftuar varfërinë”, shkruan Meta në rrjetet sociale.