Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë intervistës për “Kjo Javë” tregoi se si e ka kaluar kohën gjatë karantinës, marrëdhënien që ka pasur me bashkëshorten Kryemadhi dhe nëse ka pasur frikë nga përhapja e COVID 19.
Pyetje: Vetë zoti Meta, gjatë kësaj kohe ka patur frikë për koronavirusin si individ?
Presidenti Meta: Asnjëherë personalisht, për arsye sepse nuk kam ndonjë problem tjetër shëndetësor, dhe kjo dihet që bëhet problematike bashkë me koronavirusin, sidomos për personat që kanë dhe shqetësime të tjera.
Por, absolutisht që shqetësimi është për të tjerët, sepse duke qenë dhe për shkak të aktivitetit jemi të detyruar të mos e ndërpresim atë dhe duhet të jemi të kujdesshëm për njerëzit e familjes, bashkëpunëtorët, miqtë dhe për të gjithë. Unë, apeloj që çdo qytetar ta ketë kujdes jo vetëm për veten e tij, por edhe për njerëzit e tij më të dashur dhe për të gjithë, sepse vetëm kështu mbrojmë familjet tona dhe vendin tonë.
Pyetje: Si e ndan Presidenti kohën mes shtëpisë dhe zyrës, nesër është fundjavë, është e diel, çfarë do të bëni zoti Meta?
Presidenti Meta: Nuk jam i sigurt se çfarë do të bëj, por pak a shumë koha ime ndahet mes zyrës, shtëpisë, midis punës, leximit edhe pak sport brenda mundësive që krijon kjo situatë.
Pyetje: Në një intervistë të fundit që kam patur më zonjën tuaj, me zonjën Kryemadhi është shprehur se të gjitha ngarkesat për gjatë kësaj kohe në shtëpi kanë qenë të sajat, gatimi dhe punët. Si ndiheni në kushtet e shtëpisë zoti Meta, duke qenë se karantina sjellë pse jo, edhe debate në çift?
Presidenti Meta: Nuk kemi patur fare debate, ka qenë e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe, është sjellë në mënyrën më shembullore, më familjare, më pozitive. Në këtë drejtim gjatëkësaj periudhe nuk kam patur asnjë ankesë për të, ndoshta kjo është edhe një nga të mirat që ne kemi fituar nga karantinimi.
