Millojko Spajiç, kryetar i ”Lëvizjes Europa Tani” do të jetë kryeministri i ri i Malit të Zi. Pas javësh negociatash, parlamenti emëroi qeverinë e re, një koalicion partish pro-europiane dhe pro-serbe që pritet ta udhëheqin vendin në përpjekjen e tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiçit, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare. 19 deputetë votuan kundër, 1 abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.
Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiç, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiçit, në këmbim që Mandiç të zgjidhej kryetar i Parlamentit.
Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiç ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.
Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.