Dy oficerë policie në Drejtorinë e policisë së Lezhës janë larguar nga policia dhe po hetohen, pasi akuzohen se kanë favorizuar kultivimin e kanabisit. Njëri Serxhio Xhamalloti është arrestuar, ndërsa Klisman Nikolli është ende në kërkim.
“Kur në adresimin e parë për Policinë e Shtetit thashë se një rrënjë e vetme kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur, kisha parasysh këtë që vetëm sa ka nisur sot. Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët. Ata tani janë në duart e drejtësisë”, thuhet në një deklaratë të ministrit të Brendshëm Taulant Balla.