Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar arritën një marrëveshje 6 muaj më parë me synim dhënien fund të dyndjes së emigrantëve ilegalë shqiptarë drejt brigjeve të Britanisë së Madhe.
Sipas ministrit britanik të Emigracionit Robert Jenrick kjo marrëveshje ka dhënë frytet e para pasi qindra emigrantë janë kthyer në vendin e tyre. Ai sqaroi se në mesin e personave që janë kthyer në Shqipëri janë edhe ata me precedentë penalë.
Por duke folur për Sky News, Jenrick pranoi se ka ende shumë emigrantë shqiptarë që ndodhen ende aktualisht në hotele ndërsa të tjerë janë arratisur. Jenrick e cilësoi marrëveshjen si të një standardi të lartë pasi po redukton ndjeshëm numrin e personave që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Qeveria britanike bëri me dije gjatë muajit prill se “mbi 1000” shqiptarë janë kthyer që nga marrëveshja e dhjetorit. Rishi Sunak dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama, ranë dakord në dhjetor për të rritur bashkëpunimin në tre fusha, njëra prej të cilave mbulonte luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionin e paligjshëm.