Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo prezantoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, projektbuxhetin e vitit 2026 për institucionin që ai drejton, duke e cilësuar atë si financimin më të madh që qeveria ka adresuar për zhvillimin lokal. ”Sot kemi një buxhet prej 9 miliardë eurosh, nga 3 miliardë euro që ishte në vitin 2013, pra trefishim brenda një dekade. Kjo tregon rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik që kemi arritur”, tha Demo.
Ai theksoi se ky projektbuxhet nuk mbështet vetëm sektorët strategjikë të ekonomisë; ai mbështet fuqishëm pushtetin vendor, një prej shtyllave themelore të demokracisë funksionale dhe të shërbimeve cilësore për qytetarët. Në dekadën e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta kthyer qeverisjen vendore në aktor zhvillimi ekonomik e social, e jo thjesht në një strukturë administrative.
Ndër arritjet e dekadës së fundit, Demo përmendi rritjen e të ardhurave vetjake të bashkive me 32 miliardë lekë dhe digjitalizimin e sistemit AFMIS në nivel vendor, që synon transparencë dhe menaxhim më efikas të buxhetit.
”Për vitin 2026, është parashikuar gjithashtu një fond shtesë prej 4,5 miliardë lekësh për pagat e punonjësve vendorë dhe 200 milionë lekë për grante performance”, tha ai. Demo theksoi se buxheti synon gjithashtu rishikimin e reformës administrativo-territoriale dhe integrimin e teknologjive digjitale, për të krijuar një administratë vendore më efikase dhe më afër qytetarëve.
”Projektbuxheti 2026 është një hap konkret drejt zhvillimit të qëndrueshëm lokal dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët, duke forcuar institucionet vendore dhe përmirësuar menaxhimin e financave publike”, u shpreh Demo.
