Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani është takuar në Londër me Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy, dhe Ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret e Jashtme, Stephen Doughty.
Në fokus të takimit kanë qenë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimet parlamentare. Mbështetja e vazhdueshme e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin evropian të Shqipërisë. Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë më 16 Maj 2025, si dhe thellimi i bashkëpunimit në fusha strategjike si energjia, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia.
“Diskutuam për rritjen e bashkëpunimit në funksion të sigurisë rajonale. Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin shumëpalësh në organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajuam shtimin e investimeve britanike në Shqipëri në sektorë kyç dhe me interes të ndërsjellë”, shprehet Ministri Hasani.
Hasani pati sot gjithashtu një takim të frytshëm me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce. Takimi u fokusua në forcimin e angazhimit të përbashkët për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.






