Klubet e futbollit në Serinë A kanë filluar stërvitjet individuale por nuk ka ende një akord për rifillimin e stërvitjeve në grup dhe për më tepër kampionatit. Ministri për Sportin në Itali, Vinçenco Spadafora, ka bërë të qartë se protokolli aktual nuk përmbush kërkesat e sigurisë të shtetit italian, sipas Komisionit Tekniko-Shkencor të ngritur për të trajtuar çdo lloj teme të mundshme në lidhje me rihapjen e aktiviteteve.
“Komisioni kërkon ndryshime që kanë lidhje me protokollin e paraqitur nga Federata, për shembull të garantojë që nëse gjatë një stërvitje do të dale një pozitiv, e gjithë skuadra dhe stafi do të qëndrojnë në karantinë pa kontakte të jashtme ose që të jenë mjekët që marrin përsipër përgjegjësinë e aplikimit të protokollit. Por edhe që testet molekulare të jenë në ngarkim të klubeve, jo të taksapaguesve. Nëse Federata do të pranojë këto gjëra, mund të rifillojnë stërvitjet kolektive.
Kur mund të rifillojë kampionati? Rruga e duhur është ajo e kujdesit. Do të duhet të paktën një javë tjetër për të kuptuar kurbën e infektimeve dhe pastaj të vendosim mbi kampionatin. Më 18 maj fillojnë të gjitha stërvitjet sportive të sporteve të skuadrës dhe do të prezantoj nesër dokumentin që tregon se do të hapen të gjitha ambientet sportive, përfshirë edhe palestat, me sigurinë e plotë”, theksoi ministri italian.
