Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi këtë të hënë një takim në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ku në fokus ishte prezantimi i prioriteteve të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025. Manja tregon se i ka dhënë përgjigje kryeprokurorit të SPAK-ut, Altin Dumanit, i cili i ka quajtur të diskutueshme rekomandimet e Manjas lidhur me sistemin e drejtësisë. Manja nënvizoi mbështetjen e palëkundur të qeverisë ndaj një sistemi prokurorie të pavarur dhe profesional. Nga ana tjetër ai thotë se qeveria qëndron në krah të drejtësisë dhe jo për ta drejtuar sistemin e saj.
Postimi i plotë
Sot në Prokurorinë e Përgjithshme, me mikpritës Prokurorin e Përgjithshëm z. Olsian Çela dhe në prani të Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, prezantuam prioritetet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025.
Në zemër të këtyre prioriteteve është mbështetja e fuqishme për një sistem prokurorie të pavarur, hetime të pavarura, pa ndikim dhe pa kompromis, në çdo nivel të prokurorisë. Qeveria shqiptare angazhohet për të garantuar kushte optimale që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të vendosur.
Rekomandimet tona janë të qarta: më shumë efikasitet, më shumë transparencë, më shumë përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha, më shumë besim nga qytetarët. Ne qëndrojmë krah drejtësisë, jo për ta drejtuar atë, por për ta fuqizuar akoma më shumë pavarësinë e saj që prokurorët të ndihen të lirë të bëjnë detyrën e tyre, dhe krimi të mos ndiejë më asnjë hapësirë për të vepruar.
