Avokatët nesër do të mbajnë një protestë kundër hartës së re gjyqësore, por sot ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja do të jetë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku është i thirrur për dëgjesë publike.
Ditën e martë, ai tha se janë në pritje të opinionit të Ministrisë së Financave në lidhje me kostot e hartës dhe vetëm pas kësaj ajo do të shkojë direkt në qeveri për miratim. I pyetur nga gazetarët nëse do të ndryshojë qasja e dikasterit që drejton apo ndonjë reflektim pas protestës së avokatëve, Manja u shpreh se sot do jetë në Komision në orën 14:00 për të dhënë shpjegimet e duhura.
Harta e re gjyqësore kundërshtohet nga avokatët, të cilët janë në protestë dhe kanë bojkotuar seancat për masat e sigurisë deri më 27 korrik. Më herët, në lidhje me bojkotin e avokatëve ka pasur një reagim të vetë kryeministrit Edi Rama që u shpreh se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar, duke thënë se bojkoti është i pavlerë.