Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka përcaktuar tashmë edhe nivelin minimal të pikëve që maturantët duhet të grumbullojnë për të qenë kalues në secilin prej katër provimeve të Maturës Shtetërore 2022 (provimin e gjuhës së huaj, gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës dhe lëndës me zgjedhje). Sipas vendimit të marrë, maturantët do të vlerësohen si kalues vetëm nëse me përgjigjet e dhëna, do të arrijnë të grumbullojnë 25 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi për çdo lëndë.
Testi i çdo provimi të maturës do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë do të jenë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë për pyetjet me zhvillim. Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 për qind të pikëve të testit, që i bie të jenë 15 pikë të detyrueshme. Nxënësit që do të marrin më pak pikë se sa ky prag i vendosur do të duhet të rijapin sërish provimin gjatë sezonit të vjeshtës, dhe vetëm pasi të marrin rezultate kaluese, do të mund të vijojnë më pas edhe procedurat marrjen e diplomës së shkollës së mesme, si dhe vijimin e aplikimeve për studimet e larta universitare.
Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, autoritetet e Ministrisë së arsimit bëjnë me dije se për provimet e këtij viti, do të shkurtohet koha e korigjimit të testeve, kjo me qëllim dhënien në kohë të diplomave të shkollës së mesme për të gjithë maturantët që do të duan të ndjekin procedurat e vijimit të studimeve universitare jashtë vendit. Për këtë kategori ndarja e diplomave të shkollës së mesme do të bëhet brenda datës 5 korrik, ndërsa për maturantët e tjerë që do të aplikojnë për studimet e larta në vend ndarja e diplomave do të vijojë deri në mes të muajit korrikut.
Edhe për provimet e këtij viti MAS ka vendosur që të mos ketë rikorigjim të testeve. Kështu, maturantët do të mund të aplikojnë për të marrë një kopje të korrigjuar të provimit të zhvilluar në secilën prej katër lëndëve të përcaktuara, por pavarësisht kësaj nuk do të ketë rivlerësim të tyre. Ekspertët e dikasterit të arsimit sqarojnë se procesi i korrigjimeve këtë vit do të jetë edhe më strikt, çka do të reduktojë drejt zeros mundësitë për vlerësime të gabuara. Lidhur me procesin e vlerësimit, MAS bën me dije se janë riçertifikuar nëpërmjet trajnimeve përkatëse të gjithë mësuesit që do të përfshihen në procesin e korrigjimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2022.
Niveli i testimit për gjuhën e huaj
Bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore, bëhet e ditur se testi i gjuhës së huaj për çdo profil shkollor do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe niveli i njohurive synohet të jetë B2, sipas “Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët”. Testi i gjuhës së huaj ndërtohet mbi bazën e dy aftësive dhe vlerësimin e njëkohshëm të tyre që janë të kuptuarit dhe të shprehurit me shkrim.
Provimi i letërsisë
Për lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë edhe për këtë vit provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do të ketë në përmbajtje një tekst joletrar ku nxënësit do të testohen rreth njohurive dhe aftësitë gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit. Teksti joletrar (mund të jetë përshkrues, rrëfyes, informues paraqitës dhe argumentues) do të jetë i panjohur për nxënësit. Pyetjet për njohuritë dhe aftësitë gramatikore, drejtshkrimore e të pikësimit do të integrohen me tekstin joletrar. Pjesa e dytë do të ketë në përmbajtje një tekst letrar, fragmentet e të cilit do të merren nga veprat letrare që janë përcaktuar në programin orientues. Ndërsa pjesa e tretë e testit përfshin esenë. Kjo e fundit dëshmon formimin gjuhësor dhe letrar të nxënësit. Tema e esesë mund të lidhet me njërën nga pjesët që janë në përmbajtje të testit.
Përmbajtja e testit të matematikës
Bazuar në kurrikulën e kësaj lënde, përcaktohet se përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), si dhe statistika e probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre në lidhje me numrin e pyetjeve që do të jenë në përmbajtje të testit, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Në përgatitjen për provimin e kësaj lënde, do të përdoren programet e lëndës së matematikës për klasat 10-12.
Provimi me zgjedhje
Provimi me zgjedhje është edhe testi i fundit që përmbyll të gjithë ciklin e Maturës Shtetërore 2022. Ky provim do të zhvillohet në datën 24 qershor. Maturantët kanë përcaktuar gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z sipas preferencave se cilën nga lëndët do të si provim me zgjedhje. Sikundër ndodh edhe me tre provimet e detyruara, testi i lëndës me zgjedhje do të ndërtohet në mënyrë të tillë që në të, të jenë të përfshira të tri nivelet e vështirësisë: niveli bazë, niveli mesatar dhe niveli i lartë. Njëkohësisht, edhe shpërndarja e pikëve në test do të jetë në varësi të përqindjeve që zë çdo nivel. Në përgatitjen për përmbushjen e rezultateve të të nxënit të këtij programi do të përdoren tekstet mësimore të miratuara nga MAS të kësaj lënde. Mund të përdoren edhe burime ndihmëse apo materiale shtesë, që sigurojnë përmbushjen e rezultateve të të nxënit të programit orientues.
Rregullat për administrimin e provimeve
Gjatë prezantimit të rregullores së re autoritetet e arsimit kanë bërë me dije se prioritet për provimet e këtij viti do të ketë rritja e mëtejshme e cilësisë që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimit të maturës. Një vëmendje të veçantë do të ketë trajnimi i mësuesve të përfshirë në proces, hartuesit, administruesit, vlerësuesit, si dhe të gjithë mësuesit e angazhuar në gjimnaze për të përgatitur maturantët. Ndërkohë që do të vijojnë të mbeten në fuqi penalitetet për maturantët që do të shkelin rregulloren e provimeve. Maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit. Po sipas rregullave të përcaktuara, në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.