Pas denoncimit të bërë në emisionin “STOP”, të datës 24.1.2019, ndaj veprimeve të kryera nga ish-shoqëria përmbarimore “Star” që tashmë ushtron funksionet me emrin e ndryshuar “Shërbimi Përmbarimor FS” sh.p.k, me administratorë shtetasit Albert Gega dhe Aldo Daka, Ministria e drejtwsisw ka marrw disa masa. Për shkak të numrit të madh të ankesave të administruara ndaj përmbaruesve të saj, Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll bazuar në urdhërin e Ministrit të Drejtësisë nr. 4724, datë 27.07.2017 ku janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, për të cilat janë marrë edhe masa konkrete disiplinore “heqje të certifikatës së ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore” për 3 prej përmbaruesve të kësaj shoqërie. U është hequr licenca përmbaruesve Aldo Daka, me Urdhrin nr. 4724/29, datë 22.12.2017, të Ministrit të Drejtësisë; Alketa Tanushi, me Urdhrin nr. 4724/33, datë 22.12.2017, të Ministrit të Drejtësisë dhe J. Dervishi, me Urdhrin nr.4724/27, datë 18.12.2017, të Ministrit të Drejtësisë.
Nga i njëjti kontroll është konstatuar se në veprimet përmbarimore të paligjshme është përfshirë edhe shoqëria tjetër përmbarimore “Shërbimi përmbarimor ZIG” sh.p.k. Bazuar në shkeljet e gjetura është marra masa disiplinore për heqjen e të drejtës së ushtrimit të këtij profesioni edhe për dy përmbarues të kësaj shoqërie, Arben Meskuti, me Urdhrin nr. 4724/8, datë 06.11.2017, të Ministrit të Drejtësisë dhe Alban Kote, me Urdhrin nr. 4724/25, datë 17.11.2017, të Ministrit të Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë pas këtij inspektimi ka kryer kallëzim penal në Prokurori për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda; parashikuar në nenin 143 të Kodit Penal dhe të kundërvajtjes penale “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij” parashikuar në nenin 249 të Kodit Penal, kryer nga personi juridik “Shërbimi Përmbarimor ZIG” sh.p.k., Tiranë, përgjegjës i drejtpërdrejtë i veprës penale dhe kundërvajtjes penale, në zbatim të nenit 3/a, b dhe nenit 4, të ligjit nr. 9754, datë 14.6.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”.
Nisur nga ankesat e qytetarëve në drejtim të veprimeve të shoqërisë “Shërbimi Përmbarimor FS”, Ministria e Drejtësisë ka nisur një tjetër hetim ndaj përmbarueses, Kejda Seferi, e cila është dhe përmbaruesja që ndiqte procesin e denoncuar në emisionin STOP.
Ndërkohë, po nga verifikimet paraprake, rezulton se personi i cili shfaqet në videon e transmetuar në rastin e denoncuar, nuk është përmbarues i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, çka përbën një tjetër shkelje flagrante të ligjit.
Kjo gjë rëndon edhe më tepër pozitën e përmbarueses apo përmbaruesve që kanë patur dijeni për këtë proces përmbarimor, në shkelje të parashikimeve ligjore “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, kryerjen e veprimeve për informimin e palëve për veprimet në procesin e ekzekutimit; duke mos dhënë sqarimet e nevojshme për veprimet e kryera dhe duke cenuar rëndë detyrimin për të ruajtur të dhënat dhe sekretin profesional.
Raste të përmbaruesve të penalizuar me heqje të licencës që ndryshojnë emrin e shoqërisë apo kalojnë nga një shoqëri në një tjetër, për të vijuar të ushtrojnë aktivitetin e tyre do të ndiqen në mënyrë sistematike nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese dhe prokurorinë.