Qeveria do të bëhet punëdhënësi më i preferuar për profesionistët që nuk i janë afruar deri më tani për shkak të pagave konkurruese në treg. Ministrja e Ekonomisë dhe Finanacave, Delina Ibrahimaj, tha se do të forcohet ekipi i IT në qeveri me paga konkurruese për të pasur sistem të sigurt për të gjithë.
“Pas mbledhjes së qeverisë kemi dalë të diskutojmë për të pasur një ekip të kualifikuar IT me qëllim që qeveria të jetë punëdhënës konkurrent me tregun dhe sektori IT të ketë paga të konkurrueshme me tregun dhe më të larta se ato. Sistemet janë baza e mirëqeverisjes dhe sisteme të forta do ët thotë siguri për të gjithë. Kemi punuar përgjatë janarit për finalizimin e strukturave dhe për profesionistët e veçantë të cilët kanë paga të ulëta se ato në treg dhe do të kenë paga konkurrente. Këto vendime do të miratohen brenda shkurtit. Ne synojmë që sektori publik të jetë punëdhënësi më i preferuar për ato kategori profesionistësh që nuk i janë afruar deri tani në profesionet e paguara më mirë nga sektori privat”.
E pyetur për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë Arlind Gjokutaj, të arrestuar për korrupsion, Ibrahimaj tha se kjo çështje është në dorën e drejtësisë.
“Sot jemi për vendimet e Këshillit të Ministrave. Ne kemi qëndrim për çështjet nën hetim. Këto gjëra i kemi lënë në dorën e drejtësisë dhe reforma në drejtësi ka treguar si funksionon. Do të presim të shprehet drejtësia dhe do t’ju bëjmë me dije”.