Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj qartësoi se procesi i punësimeve në Drejtorinë e Burgjeve ka qenë i hapur dhe transparent. Gjonaj u shpreh se Ministrja e Drejtësisë hedh poshtë akuzat për emërime partiake në burgje të publikuara nga Zëri i Amerikës.
“Hedh poshtë akuzat për emërime partiake në burgje. Procesi i punësimeve në burgje ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik. Për herë të parë trajnimi i burgjeve është bërë me Akademinë e burgjeve. Procesi i punësimeve ka qenë u hapur transparent për të gjithë dhe vërtetohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Kam dosjen e plotë të gjithë procesit të listës përfundimtare të atyre që kanë fituar”- tha Gjonaj.
Kujtojmë se Zëri i Amerikës publikoi një pjesë të përgjimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që çuan në pranga ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko ku thuhet se punësimet në burgje bëheshin me urdhra dhe ndërhyrje të zyrtarëve të PS-së.