Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar nga Zëri i Amerikës që të verifikojë dosjen e rekrutimeve të punonjësve në Burgje, pas publikimit të disa përgjimeve për rekrutime partiake. Gjatë një deklarate për mediat, Gjonaj u shpreh se VOA nuk mori në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe argumentet, ndërsa sipas saj procesi i emërimeve është i hapur dhe transparent.
“Dje në mbrëmje VOA nuk mori në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe argumentet, por rikonfimoi qasjen e gabuar lidhur me të dhënat hetimore. U shpreh për prova, pa marrë parasysh se ato janë indicie. Ashtu siç shpjegova dhe dje, nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve.
Duhet parë nëse deklaratat e deputetëve janë përkthyer në marrjen e vendeve të punës për të gjitha ata që janë pranuar, dhe kjo duhet parë në të gjithë procesin. E theksoj dhe një herë procesi ka qenë shumë i hapur dhe transparent për të gjithë qytetarët.
Jemi të hapur për këdo që dëshiron të shikojë dosjen e rekrutimeve të punonjësve të rinj. Jemi të vetëdijshëm se ka ende për të përmirësuar, por ne po punojmë për ndryshimin e situatës. Lufta me të shkuarën është reale dhe betejë me veten për të ndarë shtetin nga politika“- tha Gjonaj.