1895. Patër Deda (Atë Domenico Pasi s.j.), jezuiti i famshëm i misioneve shëtitëse (1880-1932), kishte marrë leje nga Arqipeshkvi i Durrësit Imzot Prend Bardhi, që të predikonte edhe në këtë dioqezë, fill pas largimit nga Dioqeza të Imzot Raffaele D’Ambrosios, që ua kishte pas mohuar këtë leje jezuitëve. Ishte koha kur Kthella, Selita dhe Lura bënin pjesë në Arkidioqezën e Durrësit.
Ishte tetor dhe Etërit Jezuitë sapo kishin mbaruar misionin e tyre në territorin e Abacisë së Oroshit dhe po bujtnin në shtëpinë e Marka Tucit në Ndërfushaz. Nga Ndërfushazi, fshati i parë i Kthellës ishte Rrësheni. Megjithëse kishin lejen nga Arqipeshkvi i Durrësit, etërit po ngurronin të hynin në Kthellë. Kishte ndodhur diçka jo fort e këndshme. Kthellasit kishin bërë një mbledhje dhe kishin vendosur që do të gjobisnin me 2 buaj çdo kthellas që do të priste në shtëpinë e vet meshtarët jezuitë. Arsyeja dukej se ishte kjo: jezuitët, sikurse vepronin rëndom në misionet e tyre, pasi predikonin në Kishë dhe nëpër fshatra, kërkonin që të faleshin gjaqet dhe të ktheheshin në gjini gratë e marra në konkubinat (d.m.th. ata që kishin marrë grua tjetër me gruan e kunorës gjallë), përndryshe ata i shkishëronin (në atë kohë përdorej fjala mallkim). Në kohën që po flasim, Kthella, sikurse edhe një pjesë e mirë e Mirditës, kishte shumë gjaqe dhe shumë burra që kishin marrë nga dy gra. Duke mos patur mundësi të dilnin në Kthellë për shkak të këtij vendimi, jezuitët po prisnin Imzot Pashk Lalpepajn, famullitarin e Kthellës që do t’u dilte përpara e të garantonte për ta. Për momentin ata do të rrinin te shtëpia e Kapitan Marka Tucit, që ishte kushëri i princit Bib Dodës dhe njeri me shumë autoritet në Ndërfushaz.
Me të marrë vesh se Imzot Pashk Lalpepaj kishte ardhur, dhe ishte data 7 tetor 1895, pasi mbaruan meshën në mëngjes në oborrin e shtëpisë së Marka Tucit, u nisën për në Rrëshen të gjithë priftërinjtë bashkë me Imzot Pashkun për në Rrëshen. Këtu po ia lë për pak çaste fjalën kronikanit të kohës, vetë Patër Dedës, i cili e përshkruan kështu: “Marka Tuci dhe një numër i mire të krishterësh të fshatit (Ndërfushaz) na shoqëruan duke kënduar uratë e duke shti në pushkë në shenjë gëzimi për nder tonin. Me ne ishin dhe disa prej Rrëshenit, të cilët, edhe pse ndoshta jo me gjithë zemër, por për të mos u koritur përballë mirditorëve, iu përgjigjën atyre me po aq të shtëna pushke. Kur u ndalën ata të Ndërfushazit, mbetëm në dorë të banorëve të Rrëshenit. Sapo mbërritëm afër fshatit u vendos një Kryq që e kishte sjellë Imzot Lalpepaj dhe Vëllai mori fizarmonikën e duke u vendosur në rresht, bëmë në atë mënyrë që ata që ishin në të rrinin në mes të njerëzve dhe jo anash apo në bisht të rreshtit, në mënyrë që të mos rrezikoheshin nga ndonjë plumb gjaksi, pasi, sikurse zbuluam më vonë, disa kishin për qëllim të merrnin gjakun pikërisht në ato ditë”. (G. Valentini)
Këtu po e vazhdoj unë përsëri historinë. Të gjithë kishin frikë të merrnin për darkë në shtëpitë e tyre meshtarët, për shkak të gjobës. Bajraku i Kthellës së Poshtme atëherë përbëhej nga këto fshatra: Rrësheni, Proseku, Kameci (ku gjendej Kisha e shën Vlashit), Malaj dhe Tena. Mund të përfytyrojmë që dy buj, apo vlera e tyre, për një familje ishin shumë, duke qenë se varfëria ishte shumë e madhe në ato kohë. E megjithatë njëri, zot shpie i njërës prej shtëpive më në zë të Rrëshenit, shkon fshehtas të prifti dhe i thotë: “Unë nuk mundem me ju thanë me ardhë në kullën teme për shkak të vendimit që asht marrë, por unë do ta lë derën e kullës të hapun. Ju ejani e hyni sa t’fillojë të bjerë mbramja. Shqiptari nuk e qet mikun prej shtëpie kur t’i hyjë në konak e kështu unë jam i la me bajrakun e kërkush nuk më thotë gja”. E kështu atë mbrëmje e gjetën hapur derën e një kulle për me bujtë. Të nesërmen veproi ashtu një familje tjetër e të tretën ditë një tjetër akoma, derisa u kuptua që miqtë nuk kishte gjobë që i linte jashtë. Mirdita ka edhe shumë histori të tjera, disa më të bukura e disa më pak të bukura, që tregojnë kundërshtitë që nuk janë vetëm të kohës sonë, por të çdo kohe. E megjithatë asnjëherë nuk ka munguar zgjuarsia dhe mundësia për të gjetur zgjidhje e gjithmonë është gjetur një derë e hapur për mikun ndër shqiptarë.