Një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh, të dyshuara si të trafikuara, u zbulua nga policia në Tiranë një ditë më parë.
Në kuadër të operacionit të koduar “The Van”, është arrestuar Eugert Sino, 34 vjeç, i cili dyshohet se ishte poseduesi i armëve.
Armët mbaheshin në një furgon që ndodhej i parkuar prej më shumë se një muaji në rrugën “Myslym Shyrri”. Furgoni kishte mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, që dyshohet se ishte përdorur si kamuflim nga trafikantët.
Fillimisht ka ndërhyrë policia rrugore, ndërsa më pas janë përfshirë edhe agjentët e policisë kriminale, të cilët kanë sekuestruar furgonin dhe armët që ndodheshin brenda tij.
Hetuesit bëjnë me dije se Sino ka mohuar çdo lidhje me armët. Ai ka deklaruar se mjeti është në emrin e tij, por nuk ka dijeni se kush mund t’i ketë vendosur armët brenda.

