Në fjalën e tij në zbatimin në terren të misionit të Frontex, për menaxhimin e kufijve, kryeministri Edi Rama tha se kjo e bën Shqipërinë kontributor të drejtë për drejtë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Prania në Tiranë të të gjithë juve në fillim të marrëveshjes së patrullimit të kufijve, është shumë domethënëse për vëmendjen dhe mbështetjen e BE ndaj Shqipërisë, në kuadër të përmbushjes së rolit tonë si një vend kandidat në BE, me ambicie për të qenë nesër anëtarë, por dhe se falë jush dhe përmes jush ne do të jemi në gjendje ti tregojmë miqve dhe partnerëve të BE, edhe më mirë dhe me fakte shprehjen e vullnetit tonë të palëkundur për të qenë në këtë copëz të Europës një partner dhe vend tërësisht i besueshëm”, tha Rama.
Lexo edhe – Avramopoulos: Fazë e re mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Ai u shpreh se emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve ka rënë në 2018, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32%, duke u shprehur se është minimizuar në shifra të papërfillshme.
Rama shpalosi dhe një ide, atë të menaxhimit të integruar të kufijve me vendet e rajonit, ashtu siç Shqipëria e ka bërë me Kosovën.”Me Kosovën, Shqipëria realizon një menaxhim të integruar kufijve përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe faktikisht në pikën e kalimit kufitar Morinë Vërmicë, që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve është reduktuar me 50% koha e pritjes së qytetarëve dhe automjeteve dhe është lehtësuar qarkullimi i mallrave. Një provë që menduam ta thellojmë dhe duam të shkojmë më tutje jo vetëm me Kosovën po të gjitha vendet e rajonit, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndërveprimit dhe pakontestueshmërinë e menaxhimit të integruar të kufijve”, tha më tej Rama.
Lexo edhe- Misioni i “Frontex”, Lleshaj: Garanci për sigurinë
Duke përmendur faktin se shqiptarët janë të dashuruar me BE-në, Rama në kuadër dhe të zgjedhjeve për instancat e BE-së uroj që vendet anëtare ta rigjenin dashurinë për vetveten.
“Me kënaqësi që sot keni ardhur në një vend që është i dashuruar me Europën dhe me urimin që në Europë ta rigjeni dashurinë për vetveten unë ju falënderoj shumë”, përfundoi Rama.