Hetuesit në Rusi kanë gjetur tashmë mbetjet e trupave të 10 personave që ndodheshin në bordin e avionit të vogël privat, që ra mbrëmjen e të mërkurës, 100 kilometra në veri të Moskës e ku ndodhej edhe shefi i grupit famëkeq të militantëve Wagner, Yevgeni Prigozhin dhe zëvendësi i tij Dimitri Utkin.
Trupat do t’iu nënshtrohen analizave të ADN-së për të vërtetuar identitetet e tyre e po ashtu për të përcaktuar një herë e mirë nëse Prigozhin është mes viktimave, pas dyshimeve se ai mund të ketë qenë në avionin tjetër privat në pronësi të tij që udhëtonte paralelisht dhe që u ul me sukses në Shën Pjetërburg.
Autoritetet ruse dhe pjesëtarët e grupit Wagner janë të bindur se mes viktimave në avionin e rënë ndodhej edhe 62-vjeçari. Mister mbeten shkaqet e rënies, për të cilat Moska dhe vetë Putin nuk ka folur fare.