Në intervistën e tij të parë si kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se ai nuk ka një “shkop magjik”, por ka një plan për vendin e tij. Frazën “nuk kam shkop magjik” e ka përdorur edhe kryeministri Rama pas marrjes së pushtetit.
“Nuk kam një shkop magjik. Por unë kam një plan të menduar mirë për atë që duhet të bëhet në Greqi. Mund të bëjmë disa gjëra shpejt, por është e qartë se nuk ka zgjidhje të lehta dhe të drejtpërdrejta për problemet kronike të shtetit grek”, tha për rrjetin BBC, kryeministri konservator i Greqisë.
Ai theksoi se qeveria e tij do të rrisë pagën bazë.
“Do të sigurohem që paga bazë të rritet sa më shpejt. Kështu që ata që jetojnë me pagën bazë gëzojnë më shumë përfitime nga përmirësimi i kushteve ekonomike”, tha Mitsotakis për BBC, raporton Protothema.
Mitsotakis tha se qeveria e tij është gati që të sjellë Greqinë përsëri në rrugën e rritjes ekonomike.
“Ajo që dua të siguroj është se rritja ekonomike do të ndahet në mënyrë të drejtë. Për mua kjo është sfida më e madhe me të cilën do të përballemi”, u shpreh kryeministri i sapozgjedhur.
Kyriakos Mitsotakis premtoi se ulja e parë e taksave dhe tatimeve për bizneset do të bëhet në 1 janar të vitit 2020.
“Qeveria jonë synon të kontrollojë menaxhimin efektiv të shtetit dhe të zvogëlojë shpenzimet e panevojshme kudo që të jetë e mundur. Dhe, për më tepër, një ekonomi që rritet me një normë prej 4% në vit sjell më shumë para në fondet publike se sa nëse lëviz me 2%. Është e thjeshtë”, tha Mistotakis.