Mjekët në Tepelenë kërkojnë të mos mbyllet spitali i tyre, referuar urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili nga 1 janari i vitit të ardhshëm e kthen spitalin në një qendër shëndetësore.
Ky urdhër kundërshtohet edhe nga qytetarët e Tepelenës dhe veçanërisht nga mosha e tretë, të cilët janë të pamundur për shërbimet që kërkojnë që të udhëtojnë drejt spitalit të Gjirokastrës.
Edhe spitali rajonal i Gjirokastrës, që pretendohet të presë vizitat e qytetarëve nga Tepelena, është në limitet e tij për sa i përket mjekëve specialistë.
Në këtë spital dy prej specialiteteve janë vakante, ndërsa të tjerët kanë vetëm një mjek çka bën të pamundur shërbimin për një numër kaq të lartë banorësh. Në spitalin rajonal të Gjirokastrës pritet të marrin shërbim banorët e Memaliajt, Tepelenës, Përmetit dhe Këlcyrës.
