Nesër, në Tiranë do të nisë përdorimi i testimeve të shpejta për të gjithë ata që kanë shfaqur simptoma të COVID-19. Sigurimin e 100 mijë testeve të shpejta, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti e konsideroi një hap pozitiv dhe të domosdoshëm.
Ai u shpreh se këto teste do të ndihmojnë për të kontrolluar pandeminë.
“Teste e shpejta tashmë janë realitet. Ky test kushton pak, nxjerr përgjigjen shumë shpejt, ka të gjitha mundësitë për të dhënë një dorë të mirë në kontrollin e pandemisë. 100 mijë nuk është një numër i madh, por nuk e dimë grafikun e furnizimit të tjerave që do të vijnë; duhet parë sa shpejt do bëhen. Kemi nevojë shumë të madhe për testime. Ne kemi ngecuar tek 2.300 testime. Ky numër duhet të rritet. Nëse do përdorim vetëm 5 mijë testime të shpejta në ditë, për 20 ditë mbarojnë. Është shumë e këshillueshme përdorimi i tyre masiv.”
I pyetur nëse Shqipëria është larg imunizimit të tufës, mjeku u shpreh se është ende herët të flitet për këtë, duke shtuar më tej se një nga pikat kyçe për menaxhimin e situatës është rritja e numrit të testimeve.
“Është një koncept i madh. Testimet kanë qenë të pakta, vendi i fundit në Evropë për këtë drejtim, sa më shumë gjurmojmë e ndërpresim zinxhirin e transmetimit. Është pike kyçe e OBSH, e cila ka thënë që duhet të dalin me pak se 10 për qind e testeve pozitive, ne sot flasim për 31 për qind për të thënë që gjurmimi është i suksesshëm. Duhet të shtojmë tesimet. Ky është një nga aspektet e menaxhimit të situatës.”