Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka treguar se kush janë personat më të rrezikuar nga fruthi.
“Më të rrezikuarit janë të paimunizuarit. Konkretisht fëmijë që nuk janë vaksinuar, njerëz ku vaksina nuk ka efekt ose te persona me probleme të sistemit imunitar”, tha ai.
Ndërkohë që numrat e të infektuarve vijojnë të rriten, mjeku Alimehmeti ka treguar disa simptoma ndërsa ka bërë thirrje që të gjithë t’i kushtojnë rëndësi vaksinimit.
“Fillimisht fillon me temperaturën, njollat e para, i japin emrat sëmundjes. Shumica e rasteve kalojnë pa ndërlikime. Fruthi është më i vështirë, të lodh më shumë se gripi për ta kaluar. Është virusi më ngjitës që njohim. Fruthi është virusi më transmetues që njohim, nuk ka më transmetues se ai. E vetmja mënyrë për ta mbajtur nën kontroll është vaksinimi. Quhet sëmundje riemergjente, po rishfaqet, jo vetëm te ne. Shfaqet sepse po bie vaksinimi. Nëse një person është në shtëpi dhe është infektuar do izolohen dhe anëtarët e tjerë të familjes”, tha Alimehmeti.
Për sa i përket njerëzve që mendojnë se vaksinat kundër fruthit shkaktojnë autizëm epidemiologu Alimehmeti, ka dalë garant duke thënë se shkenca e ka rrëzuar këtë tezë. Ai u shpreh se arsyeja pse autizmi është në rritje, ka të bëjë me ndotjen ambientale dhe jo me vaksinat. Sipas tij, nëse kjo tezë do të ishte e vërtetë, rënia e vaksinave do të ishte e barabartë me uljen e autizmit, por që në fakt ka ndodhur e kundërta. Madje mori shembull brezin e vjetër, i cili e kishte të detyrueshëm që të vaksinohej në shkolla për fruthin, ndërkohë numri i të prekurve me spektrin autik ishte më i ulët.
“Për fruthin nuk kam rezerva për vaksinimin siç kam pasur në rastin e COVID që dhe e kam thënë. Është një vaksinë qe e njohim prej dekadash. Ndodhi një lidhje me shfaqjen e sëmundjes së spektrit autik. Është një artikull me 12 vetë që ndezi një sinjal të kuq. Ne ngremë pyetje dhe shkojmë gjejmë prova. U bënë studime për një çerek shekulli dhe kemi parë që s’ka asnjë lidhje. Vaksina e fruthit është duke rënë. Rastet e autizimit janë shtuar. Nëse do ishte ky shkaku atëherë duhet të binin dhe ato. Brezi jonë jemi vaksinuar gati të gjithë por në brezin tonë sa ka qenë. Sot që flasim ka vaksinim më të madh në zona rurale sesa në ato urbane. Ku janë rastet më të shumta?”, shtoi më tej mjeku.