Rasti i kirurgut Dervish Hasi tronditi mbarë opinionin publik, me faktin që ka abuzuar me një të mitur, ndërkohë që në banesë jeton me 3 gra. Gjykata e Tiranës vendosi ta linte në burg me akuzën “Trafikim të të miturve” dhe “P*ornografi”.
42-vjeçari që punonte si mjek në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe që ishte praktikant i fesë islame, shfrytëzonte një 16-vjeçare prej dy vitesh, duke i premtuar se do të bëhej bashkëshortja e tij e katërt. Lidhur me këtë ngjarje, kanë folur psikologet Ermela Shllaku dhe Ikbale Berisha Huduti. Kjo e fundit si studiuese e fesë islame, sqaroi edhe njëherë deklaratën e saj se femra është e gatshme të martohet kur i vijnë mestruacionet e para.
“Nga aspekti fetar, vajza në momentin kur i vjen cikli i parë është e rritur pjesërisht. Por jo mendërisht dhe nuk është e gatshme për martesë. Martesa nuk pranohet nëse nuk është me pëlqimin e prindërit deri në moshën 18-vjeçare. Kurrësesi nuk i lejohet pa lejen e prindërve të marrë hapa të mëdha për martesë”.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu, të merren masa edhe për prindërit e vajzës dhe 3 gratë e tjera të kirurgut. Por sipas Ikbales, nuk është e drejtë të dënohen 3 gratë e tjera, pasi shkel të drejtën e besimit fetar.
“Pornografia është e ndaluar rreptësisht në islam. Në këtë aspekt është e drejtë të dënohen. Por për shkak të martesës ligji nuk mund t’i akuzojë sepse shkel të drejtën e besimit fetar. Shkak mund të jetë edhe varfëria. Duhet parë bagazhi i 3 zonjave të tjera. Unë edhe si nënë, edhe si gjyshe edhe në islam, kjo është gabim dhe nuk është e lejueshme. Doktori nuk ka të drejtë t’i mbajë në një dhomë”, shprehet psikologia Ikbale Berisha.