Mjeku Tualant Muka ka projektuar të gjithë skenarët e mundshëm të të infektuarve me koronavirus nëse në vend nuk do të merreshin masat drastike.
Në një lidhje me Skype në emisionin “Opinion”, Muka është shprehur se nëse nuk do të merreshin masat, brenda një muaji Shqipëria do të shënonte plotë 55 mijë të infektuar, dhe në harkun kohor të 2-5 muajve mund të shkaktoheshin 18 mijë viktima.
“Nëse nuk do të merreshin masat do shkonin deri në 18 mijë të vdekur për 2-5 muaj. Varet edhe sa përqind e popullatës ka sëmundje kronike. Prandaj është shumë e rëndësishme për të respektuar sa më shumë karantinën. Kur flasim për impaktin e masave; nëse nuk merrnim masa do kishim 55 mijë të infektuar vetëm brenda një muaji. Një person i infektuar nëse lihet i lirë mund të infektojë të paktën 240 persona në një muaj. Nëse merrnin masa mesatare, mund të shkonim në 865 raste në muaj. Karantina është mënyra më e mirë për ta parandaluar. Gjithçka është e bazuar në të dhënat e Kinës deri më sot,”-tha Muka në fjalën e tij.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 55 të prekur, mes tyre një viktimë. 9 prej të infektuarëve janë mjekë dhe infermierë, një nga Spitali i Durrësit dhe të tjerët nga spitali “Shefqet Ndroqi”. Vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, është ndaluar lëvizja me makinë apo me këmbë, si dhe shumë vende punë janë mbyllur. Në shërbim të shtetit do të jenë edhe spitalet private gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.