Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor, ato gra që e kanë përjetuar depresionin ose çrregullimet bipolare mund të kenë pasur histori të ngjashme familjare, mund të kenë kaluar komplikime mjekësore gjatë lindjes ose nuk kanë mbështetje emocionale nga njerëzit e afërm.
Shtatzënia mund të ketë një ndikim te depresioni, pasi gjatë kësaj periudhe, gratë pësojnë shumë ndryshime. Për një grua që vuan nga depresioni, shtatzënia mund të ngjallë shumë emocione, të cilat ajo e ka të vështirë t’i përballojë.
Brenda disa ditëve pas lindjes, nënat mund të përjetojnë një depresion të lehtë. Gjithsesi, ka disa nëna që përjetojnë një depresion më të rëndë, i cili zgjat disa javë deri në disa muaj pas lindjes.
Nëse diagnostikoheni me depresionin e paslindjes ose nëse mendoni se vuani nga kjo sëmundje, është e rëndësishme të kërkoni përkujdesje profesionale.
Disa gra nuk i tregojnë askujt për simptomat e tyre, pasi shqetësohen se do të shihen si nëna të këqija. Por e vërteta është se çdo grua mund të depresionohet gjatë shtatëzanisë ose pas lindjes së një fëmije.
Prandaj, sa më shpejt që të merrni ndihmë në menaxhimin e depresionit tuaj, aq më shpejt mund të filloni të shijoni amësinë me beben tuaj.