Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë përmes një deklarate për situatën aktuale politike në vend i kërkojnë dy liderëve kryesorë të politikës, Edi Rama dhe Lulzim Basha të ulin armët e konfliktit dhe të gjejnë rrugën e dialogut.
“U bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë liderëve të dy partive të mëdha: kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, që të ulin armët e konfliktit, sikurse janë gjuha e urrejtjes dhe arroganca, e të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut. Të nxiten me këmbëngulje qytetarët që të heqin dorë nga çdo lloj forme dhune dhe vandalizmi. Kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do ATDHEUN! Në këtë situatë ne, me vendosmëri i themi JO DHUNËS, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve”, thuhet në deklaratën e KISH.
Më tej thuhet se në situatën aktuale nuk ka kohë më për të humbur, sidomos për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për afrimin e vendit me Bashkimin Europian.
“Mos ta çojmë vendin drejt vetëvrasjes, por drejt rritjes dhe promovimit të së mirës dhe të bukurës. Përsërisim bashkë me partnerët tanë evropianë se është koha e duhur që t’i dërgojmë botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe ne shqiptarët, jemi të aftë për t’i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet më tej në deklaratë.