Ditën e sotme situata rrugore në qarkun e Dibrës është përmirësuar ndjeshëm.
Gjatë orëve të mesnatës është bërë e mundur hapja e bajpasit të Qafë Murrizit në rrugën e arbrit, ndërsa vazhdon të ketë probleme nga era e fortë në segmentin Fushë Bulqizë deri në Planin e Bardhë.
Korrespondenti i Top Channel Bekim Lekica bën me dije se megjithatë aksi është bërë i kalueshëm plotësisht dhe për mbajtjen nën kontroll po punojnë 4 mjete borëpastruese. Akset Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi -Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Kompanitë kontraktore kanë bërë hapjen dhe kriposjen e rrugëve.
Firmat kontraktore kanë hapur rrugët e brendshme të qyteteve, rrugët që lidhin qendrat e njësive Administrative dhe po punojnë për hapjen e fshatrave. Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe ka segmente ku ka prezencë të dëborës dhe akullit në rrugë, ndaj policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të evitojnë lëvizjet e pa nevojshme, të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët.
Gjatë natës nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore apo civile. Shkollat e qytetit dhe të zonave të afërta janë hapur dhe vijon mësimi, ndërsa në zonat e thella vijojnë të jenë të mbyllura edhe ditën e sotme, deri në një njoftim të dytë.
Nga grupet e OSHE janë riparuar defektet në njësitë ku ka pasur probleme, momentalisht ka mungesë energjie në disa fshatra të Ostrenit, Trebishtit dhe Lisit në Mat.