Emisioni “Stop” publikoi këtë të hënë, denoncimin e një qytetareje ndaj një avokati, i cili ka marrë para për t’i ekstraduar djalin drejt Shqipërisë, por që procedurat nuk u kryen kurrë.
Në një regjistrim avokati Lavdosh Shehu pranoi, se ka marrë shumën 5000 euro për funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë.
Avokati: Ligjërisht e ka 10 ditë, mbas vendimit të gjykatës, që e njoha unë. Unë e kam bërë njohjen e vendimit të huaj Fatosit. E kam çuar në prokurori vendimin e formës së prerë. Nuk është ankimuar në Apel. Ka vajtur në prokurori. Vendimi im është njohur, ka vajtur në apel të Romës. Italia ka sjellë, mbas vendimit tonë të gjykatës, ka sjellë autorizimin, që të ekstradohet ky zotëria dhe thotë “hajde merreni”. Se nuk mbahet më nga shteti italian, sepse keni një vendim të formës së prerë të Gjykatës Fierit, që thotë, që ky zotëria këtë dënim, pjesën e mbetur, duhet ta vuajë në Shqipëri. Italia e ka bërë procedurën e vet. Tani, në momentin, që ka ardhur procedura këtej, arsyen pse është penguar, ia kam thënë nënës dhe nëna e di shumë mirë “pse”.
Stopi: Cila është arsyeja, të lutem?
Avokati: Mua për Fatosin më kanë kërkuar një shifër të çmendur. Muhabetin unë me Fatosin e kam bërë që në Shtator-Tetor. Duke qenë se Fatosi më tha “unë nuk kam mundësi”, unë me atë njeriun, që më tha atë muhabetin i kam shkëputur marrëdhëniet. Ligjërisht i takon.
Denoncuesja: 12 mijë Euro ka qenë shifra. 5 mijë Euro ia kemi dhënë avokatit dhe 7 mijë Euro, kur të kthehet djali.
Avokati: Në momentin, që unë kam mbaruar vendimin e formës së prerë për ta dërguar në Itali dhe që kam kryer gjithë shërbimin, këta më kanë bërë një pagesë 5 mijë euro. Tashi unë nuk mohoj ça pagesash marr. Sepse kam ecur me fjalët e atyre dhe më thanë “e kam mbyllur” dhe në fakt më doli, që s’e kishin mbyllur.
Stopi: Ku ka ngelur?
Avokati: Është në zyrë të Ministres.
Ai thotë, se nuk e njeh ministren, por ka mundur të hyjë deri te Sekretari i Përgjithshëm, Gentjan Deva.
Avokati: Ne me Ministren nuk kemi fol ndonjëherë. Unë nuk e njoh personalisht atë. Pagesën, që kanë bërë këta, është 5000 euro.
Stopi: Ku kanë shkuar, mor aman?
Avokati: Kjo është n/drejtoresha e … së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm. Unë i kam thënë dhëndrit të zonjës “hajde të të çoj tek Sekretari i Përgjithshëm. “Ky i ka marrë, ja ku e ke”. Unë s’të mohoj.
Stopi: Si e ka emrin ajo?
Avokati: Gentjan Deva. Ka marrë 5000 Euro. Për kokë të atij djalit, jam -1 milionë lekë. Kam shkuar në Fier 10 herë. Nuk po diskutojmë hakun. Po diskutohet puna, nuk është çështja e hakut. 5000 Euro i ka marrë Sekretari i Përgjithshëm. Tani ai lekët i ka marrë dhe unë për këtë jam 100% i sigurtë dhe s’ma ndjen fare, ia them në sy. I kam thënë atij dhëndrit “hajde të të çoj me dorën time aty”.
Stopi: Sekretari, si e kishte ky?
Avokati: Gentjan Deva!
Stopi: Sa mund të kërkojë? Sa mund të dojë?
Kur avokati kërkonte me ngulm 12 mijë Euro, që të kryente ekstradimin, “Stop” dorëzoi provat dhe materialet në SPAK. Në datën 22 Tetor 2021, u bë i mundur arrestimi i avokatit Lavdosh Shehu me akuzën për “ndikim i paligjshëm i funksionarëve publikë”.