Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, gjatë fjalës së tij në eventin e mbajtur në kryeqytet me rastin e ditëlindjes së mbretit Charles III, është shprehur se Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë, vetëm duke u përpjekur të çrrënjos korrupsionin.
Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith u shpreh se gjatë 3 viteve të qëndrimit të tij si diplomat i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri ka arritur të farkëtojë marrëdhënien më të fortë të mundshme mes dy vendeve.
“Unë jam i qartë se ky vend ka një potencial të madh. Dhe pikërisht për këtë, jam i qartë se ky vend do të arrijë gjëra edhe më të mëdha në të ardhmen. Si ambasador britanik, unë vendosa të farkëtoj marrëdhënien më të fortë të mundshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Ashtu siç edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Lord Cameron tha kur ai vizitoi Shqipërinë muajin e kaluar, ne kemi tashmë një partneritet të gjerë që po lulëzon. Një partneritet për sigurinë. Një partneritet për mbrojtjen. Një partneritet të zhvillimit ekonomik dhe tregtar. Një partneritet për drejtësinë.
Dhe kjo është bërë e mundur si rrjedhojë e miqësisë sonë dhe punës suaj të palodhur. Tani, vende të tjera duan të mësojnë nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar. Mënyrën se si krijuam një partneritet dypalësh që po jep kaq shumë rezultate, kaq shpejt.
Vitin e kaluar ju bëra thirrje të bëjmë çfarë është e mundur për t’i bindur të rinjtë të mos shkatërrojnë jetët e tyre, duke udhëtuar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ambasadori britanik, gjatë fjalës së mbajtur në një pritje të organizuar me rastin e ditëlindjes së madhërisë së tij, Mbretit Karl i III-të.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar është një partner i angazhuar për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, ndërsa theksoi se “në arenën ndërkombëtare ne përshendesim si Shqipëria vazhdon të jetë një prej aleatëve tanë më të fortë në NATO, në mbështetje të Ukrainës dhe në qëndrimin ndaj Rusisë në Kombet e Bashkuara”.
Në këtë kuadër, Ambasadori tha se ky guxim vlerësohet shumë, duke shtuar “ne do të vazhdojmë mbështetjen për ju, si në aspektin e sigurisë ashtu dhe atë ekonomik”.
“Ne do t’ju ndihmojmë të nxisni lidhjet rajonale dhe të investoni në hekurudha dhe infrastrukturë, në mënyrë që ju dhe gjithëkush, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të mund të udhëtoni lehtësisht, të bëni tregti dhe biznes me njëri-tjetrin.
Ne do të mbështesim bashkëpunimin tonë të shkëlqyer për sigurinë kufitare, do të forcojmë mbrojtjen tuaj kibernetike dhe do të kryejmë më shumë operacione të përbashkëta mes forcave tona policore, prokurorëve dhe agjencive të inteligjencës për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Por ndërsa gjithashtu ekzistojnë shumë kërcënime të jashtme, sfida më e madhe e Shqipërisë, ndërsa vazhdon në rrugën e saj euro-atlantike, me shumë gjasa vjen së brendshmi.
Në vitet e ardhshëm, Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë vetëm nese ju merrni pjesë në një përpjekje të përbashkët për të çrrënjosur korrupsionin, për të forcuar institucionet tuaja demokratike dhe për t’i nxjerrë kriminelet para ligjit.
Të gjithë parlamentarëve, zyrtarëve, politikanëve dhe partnerëve të tjerë, jam i kënaqur këtë mbrëmje që shoh kaq shumë përfaqësues të gjyqësorit, të institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile të mbledhur së bashku”, tha Ambasadori.
Ai kishte mbledhur në këtë takim, gjithë politikanët shqiptare, nga Nikolla, Spiropali e Veliaj e deri tek Salianji, Duma e Ilir Meta.