Për ata që mbaheshin në qelitë e bodrumit të errët të një burgu të improvizuar rus në qytetin ukrainas të Izyum, ishte më shumë se një lloj torture.
Mykhailo Ivanovych, 67 vjeç, i ulur në një repart në spitalin kryesor të qytetit, i cili u dëmtua rëndë nga granatimet, rrëfen abuzimet që pësoi: goditjet elektrike, rrahjet, kockat e thyera dhe gjilpërat e injektuara.
Krahu i tij i majtë është i lidhur me fashë. Ai është i lodhur, por zëri i tij është i palëkundur.
“Më torturuan 12 ditë”, na thotë ai.
“Më rrahën kudo. Më thyen krahun. Më rrahën deri në atë pikë sa nuk ndjeva asgjë…”
Gjatë pushtimit, rusët e përdorën qytetin si pikënisje për sulmet në rajonin lindor të Donbasit dhe si bazë logjistike kryesore.
Mykhailo u arrestua së bashku me disa persona të tjerët, të akuzuar nga rusët për sabotim.
Të burgosurit ishin të mbuluar me kapuç, duke ndarë kushtet e vështira dhe abuzimin.
“Të gjithë u torturuan”, thotë pensionisti. “Ndonjëherë ata e merrnin dikë nga qelitë e tyre dy apo edhe tre herë në ditë.”
Mykhailo mban një kryq rreth qafës mbi bluzën me vija. Gazetari e pyet nëse falej gjatë kohës që ishte në qeli. “Sigurisht,” përgjigjet ai. “Më duhej të falesha. Çdokush do të falej atje.”
Në një qeli dikush ka gdhendur vija në mur, duke regjistruar ditët e robërisë.
Heshtjen e thyen një ushtar ukrainas.
“Duket sikur të gjitha këto mure janë plot dhimbje dhe vuajtje”, thotë ai.
Rrëfimi i Mykhailo-s për vuajtjet e goditjeve elektrike i bën jehonë dëshmive të tjera që kemi dëgjuar kohët e fundit në zonat e sapoçliruara.
Ky qytet i shkatërruar sapo ka filluar të tregojë historitë e tij dhe të zbulojë sa viktima lanë rusët.
Në një pyll me pisha në buzë të qytetit, ekipet mjekoligjore po vazhdojnë të zhvarrosin mbetjet njerëzore. Autoritetet thonë se të vdekurit janë kryesisht civilë, por një varr përmbante trupat e 17 ushtarëve, disa me duar të lidhura dhe me shenja torture.
Dasha, 25 vjeç, është mes të rinjve që arritën të shpëtonin. Ajo rrëfen vështirësitë e muajve të fundit.
“Ne jemi ende të frikësuar”, thotë ajo. “Ne nuk e dimë nëse do të jemi të sigurt. Veprimet ushtarake janë ende duke vazhduar dhe nuk ka asnjë fitore të sigurt. Ne shpresojmë dhe lutemi për një qiell paqësor dhe për një të ardhme plotë dritë për fëmijët tanë.” / Burimi: BBC