Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka e ka konsideruar të arsyeshme shkëputjen e partisë nga kryedemokrati Lulzim Basha pas vendimeve të marra nga ky i fundit. I ftuar në studion e lajmeve në MCN TV, Ndoka, tha se që në krye të herës, distancimi që Basha i bëri pabesisht aleatëve të vjetër të PD, tregon se kjo që i bëri Berishës, për ta ka qenë e pritshme.
Për momentin, Ndoka tregon se e sheh PD si një parti të çorientuar, që ka mbyllur gojën dhe ka frikë nga Berisha. Për Ndokën, Basha kishte një avantazh kur e mori partinë e gatshme nga Berisha, në krahasim më Edi Ramën, që i mori partinë Fatos Nanos. Për Ilir Metën, kreu i PDK-së tha se ai po ruan qetësinë momentalisht, por është një aktor politik rezervë, i cili do të marrë rolin e tij në kohën e përshtatshme që ai e gjykon për rikthim.
“Partia jone ka akoma me shumë një motiv të distancohet nga Basha, sepse në mënyre të pabesë, ai prishi aleancën me Partinë Demokristiane, andaj Basha e ka humbur besimin te partia jonë te unë e ka humbur tashmë respektin miqësor, bashkëpunues, ka një problem institucional. Nuk është problemi se janë ndarë rrugët nga PD, por janë ndarë rrugët me Bashën, jo me partinë, është një marrëdhënie inekzistente, dhe kjo për fajin e Bashës, megjithëse Basha është shumë debitor ndaj meje. Por personalisht jam ngushëlluar me realitetin, se kur u soll ashtu me Berishën, kjo e imja është sekondare. Unë tashmë nuk shoh një PD që është në mbrojtje të interesit publik, shoh një parti që është futur në probleme me veten e saj, në marrëdhënie me aleatët, nuk shoh një PD që bën opozitën ne këtë maxhorancë, kemi një parti e cila mbyll gojën është mbyllur në bunkerin e vet dhe ka frikë nga Berisha. Sfida më e madhe, që PD të gjej vetvete, dhe të dali nga ky cikël, unë e shoh PD si një parti të ndrydhur, do të ketë grupime te reja ne PD. Disa vendime në PD kanë qenë të Bashës, që i la në mes të rrugës, dhe Berisha aty nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje dhe interferimi, edhe pse në disa vendime ka qenë kundër, por ai prap e ka mbështetur pa bërë rolin e protagonistit, por Basha nuk diti të shfrytëzoj mundësinë e artë që e kishte nga Berisha. Rama psh, ja ka marrë partinë Nanos në forma të tjera, kurse Basha e pati këtë vlerë, këtë mundësi nga Berisha dhe nuk diti ta shfrytëzoj, dhe kjo i ka krijuar një kosto morale, njerëzore, institucionale dhe këtë rast e shoh Bashën si të thyer,”- tha Ndoka.
Debati më i fundit në PD është situata e ish-kryeministrit Sali Berisha pas përjashtimit nga grupi parlamentar me vendim të kryedemokratit Lulzim Basha. Ky i fundit deklaroi se deri në sqarimin e situatës me DASH që Berishën e shpalli non-grata, ish-kryeministri nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar. Vetë Berisha e ka konsideruar nul këtë vendim dhe ka sfiduar kryedemokratin.