Hasan PASHA
Masakra e zgjedhjeve të 26 majit nuk harrohet lehtë. Ajo nisi shumë më herët dhe kulmoi para dhe pas zgjedhjeve më të kontestuara në historinë e Shqipërisë. Ndoshta të rinjtë nuk i besojnë këto radhë. Strukturat shtetërore të kohës, Policia, Shërbimi Informativ Kombëtar, Administrata Shtetërore, forumet e Partisë Demokratike (militantët ekstremistë), të nxitur dhe ndihmuar nga pushteti bënë kërdinë në zgjedhjet politike të atij viti.
Qindra opozitarë u plagosën, rrahën, burgosën, fyen, kërcënuan. Dhuna shtetërore u lëshua pa fre mbi drejtuesit e degëve të Partisë Socialiste dhe komisionerët. U rrëmbyen gjatë natës nga shtëpitë e tyre dhe u burgosën. Shumë prej tyre u gjakosën dhe u rrahën nga grupet e gatshme të Policisë. Veriu i vendit u kthye në qendër eksperimentale të dhunës, barbarisë, brutalitetit, antishtetit. Nuk numërohen bëmat e pushtetit të PD-së. Ekstremistët e saj nga Tropoja në Sarandë sikur ishin në garë kush e shkel më shumë ligjin, kush dhunon më shumë socialistë, kush i mbush më shpejt dhe më shumë kutitë e votimit, kush raporton i pari për “fitoren” e thellë të PD-së.
Në fshatin e lindjes së S.B, Vuçidol, votimet u kryen me 25 maj 1996, një natë para ditës së zgjedhjeve. U mlodh gjithë fshati, shtroi një gosti dhe lajmëroi “liderin” se i mbyllën zgjedhjet me “sukses”. Kuptohet, “llogaritarët e kohës” dhanë lajmin se PD kishte fituar mbi 100 %.
Në Bulqizë banditët elektorale morën peng kryesocialistin M.K, dhe pasi e dërguan majë një mali e hodhën në greminë. Kur konstatuan se ai ishte gjallë e morën dhe e burgosën.
Dhjetra socialistë të Matit, që nga drejtuesit lokal, komisionerët dhe militantë të PS-së u rrëmbyen gjatë gjithë natës dhe u arrestuan. Shumë prej tyre u rrahën dhe lanë me gjak qelitë e Komisariatit të Policisë dhe dhomave të izolimit. Shembulli i qëndresës i ndjeri N.LL. Punonjësit e grupit të gatshëm i kërkonin të thërriste: “Poshtë Fatos Nano”, ndërsa ai bërtiste me sa fuqi kishte: “Rroftë Fatos Nano.” Megjithëse invalid u torturua si të ishte kriminel.
Në Dibër masakrohet gazetari i ZP-së A.A, një intelektual i njohur i krahinës. Kutitë e votimit u dërguan në shtëpitë e militantëve të PD-së dhe u mbushën një natë para zgjedhjeve.
Nata e zezë e 25 majit 1996 është preludi i zgjedhjeve të 26 majit, votimeve që amerikanët i panë me sytë e tyre, madje Ata reaguan…!