Liverpuli është konfirmuar si superfuqia në Grupin D të Ligës së Kampioneve, duke u ngjitur në vendin e parë me pikë të plota falë një fitoreje bindëse kundër Atalantës në Bergamo. Skuadra e Jurgen Klop ka dominuar sfidën nga fillimi në fund, duke ndëshkuar në çdo rast që u jepej mundësia skuadrën ku ishte titullar Berat Gjimshiti.
Zhota me tre gola dhe Salah e Mane, lanë firmën e tyre në këtë duel, duke i dhënë një sukses të thellë 5-0 anglezëve në Itali e duke konfirmuar se Atalanta ka ende për të mësuar dhe nuk mund të luajë edhe në Europë njëlloj si në kampionatin italian, pasi cilësia e rivalëve është shumë më e lartë.
Liverpuli shkon kështu në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Atalanta mbetet në kuotën 4, tashmë e barazuar nga Ajaksi që mundi 2-1 Midtjylland edhe pse kishte udhëtuar drejt Danimarkës me vetëm 17 futbollistë për takimin e sotëm si pasojë e infektimit me COVID-19 të shumë lojtarëve.