Nga Elton Metaj
Liderët e 32 vendeve anëtarë të NATO-s do të mblidhen në fund të qershorit 2025 në Holandë, në të parin takim të nivelit të lartë prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit. Vetëm pak kilometër larg vendit ku thuajse prej 5 vjetësh mbahen të izoluar liderët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë e së cilës NATO zhvilloi luftën e saj të parë 50 vjet pas krijimit, udhëheqësit e Aleancës do të përballen me vizionin tashmë publik e shumë të qartë të administratës Trump mbi sigurinë rajonale e globale.
Për presidentin amerikan, i cili njoftoi edhe pjesëmarrjen e tij në Samitin e Hagës, Europa duhet të paguajë shumë më shumë për sigurinë e saj dhe sigurinë e përbashkët. Kjo ka qenë qasja e Trump edhe gjatë presidencës së 45-të në Uashington dhe debatet publike me kreun e NATO-s asokohe ngjallën habi, por shërbyen për t’i kujtuar pjesës europiane të Aleancës se gjërat duhen ndryshuar. Europa që blinte gazin rus dhe mbushte me miliarda euro buxhetin e Rusisë, nuk mund ta varte shpresën e saj të sigurisë te djemtë amerikanë dhe avionët e tyre.
Në mes të vitit 2025, me një luftë aktive në kufijtë e saj, NATO ndodhet në një moment jo të lehtë. Megjithë disa lëvizje e shkundje të muajve të fundit, vendet e pasura europiane janë ende larg arritjes në shifrën 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, që duket se do të jetë targeti final. Europa dujet se është larg, jo vetëm shifrave të buxhetit, por edhe gjetjes së vullnetit të përbashkët për t’u zgjuar nga “ariu rus”, që e risolli luftën në zemër të kontinentit.
E ndërsa alarmi e shqetësimi në vendet balltike rritet, pa folur për zona vulnerabël si Moldavia e Gjeorgjia, shkundja e Europës është e ngadaltë. Një zile e fortë e zgjimi pritet të vijë pikërisht nga Haga, ku NATO do të kalojë një ndër provimet më të vështirë të saj. Amerikanët nuk e kanë fshehur se do të kërkojnë që NATO të mbahet në këmbë nga të gjithë dhe për këtë kuotat e shpenzimeve ushtarake duhet të rriten.
Ministrat e Mbrojtjes të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior do të takohen më 5 qershor para samitit të madh vjetor që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor për të tentuar gjetjen e zgjidhjeve: rritje e shpenzimeve nga 2 % e PBB-së aktualisht, në 3.5 % dhe më tej në 5 %. Pavarësisht shifrave, sfida mes SHBA dhe Europës mbetet përqafimi i konceptit se mbrojtja e siguria kushtojnë. Për këtë Donald Trump ka qenë më i qartë se kurrë në deklarimet e tij. Qëndrimet e tij në Hagë mund ta vënë në vështirësi Aleancën e vjetër, shumë të rëndësishme, por me nevoja urgjente për reforma të forta.
