Ndalohet një oficer policie për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Bëhet fjalë për N/komisar A.XH., 31 vjeç, në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ndalimi u krye në funksion të procedimit të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive të oficerit A.XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer dhe duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.