Një pjesë e kryeqytetit ka mbetur pa furnizim me energji elektrike sot në 19 janar, pas një defekti në një linjë të rëndësishme të OST-së, që shkaktoi ndërprerje të papritur të rrymës në disa lagje të Tiranës. Sipas njoftimit të bërë nga OSHEE, avaria ka ndodhur në linjën 110kV që furnizon disa nënstacione kryesore, duke përfshirë zonat rreth Ali Demit, Freskut, ish-Uzina Autotraktorëve dhe Brrylin.
“Është shfaqur një problem në linjën 110kV të OST-së, e cila furnizon me energji disa nënstacione të qytetit, kryesisht zonat e përmendura më lart. Po punojmë ngushtë me stafet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për të gjetur zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi OSHEE.
Ndërkohë, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike siguron se disa institucione dhe zona kritike po furnizohen nga linja alternative, përmes skemës së quajtur “unazë”, e cila mundëson mbulimin e pjesshëm të nevojave të energjisë për të minimizuar ndërprerjet.
Ndërprerja e energjisë elektrike ndikoi edhe në aktivitete publike, përfshirë futbollin. Ndeshja Dinamo-Vllaznia, që po zhvillohej në stadiumin “Air Albania”, u detyrua të fillonte me 40 minuta vonesë për shkak të mungesës së energjisë, ndërsa organizatorët u përpoqën të menaxhonin situatën.
Avaritë në linjat kryesore të transmetimit, si kjo e 110kV, janë të rralla, por kur ndodhin, ndikojnë në një pjesë të konsiderueshme të qytetit, duke shkaktuar vështirësi të përkohshme për banorët dhe bizneset.
