Tjetër humbje zhgënjyese për Barcelonën në “Camp Nou”. Pasi u eliminuan nga Eintraht Frankurt në Ligën e Europës, katalanasit e Ksavit, regjistruan humbjen e dytë radhazi në shtëpi, teksa mbrëmjen e sotme u mposhtën nga Kadizi në kampionat me rezultatin 0-1, duke ndërprerë kështu serinë prej 15 ndeshjesh pa humbje në kampionat.
Lukas Perez në minutën e 48-të, mposhti portierin Ter Shtegen, duke i siguruar 3 pikë të arta Kadizit, që është shndërruar në një “mace e zezë” për Barcelonën, që triumfin e fundit ndaj kësaj skuadre e ka regjistruar në 29 prill të vitit 2006.
Një fakt tjetër interesant është se për trajnerin aktual të Kadizit, Serxhio, kjo ishte fitorja e parë kundër Barcelonës, pasi në 8 përballjet e tjera kundër Barçës, në kohën kur drejtonte Deportivo La Korunjën njihte vetëm humbje. Me disfatën e sotme, Barcelona ndan vendin e dytë me Sevijan, me 60 pikë secila, 15 pikë më pak se kryesuesit e Realit.
