Specialistët dhe punëtorët që ndërtuan brenda afatit të parashikuar Urën e Vashës, pjesë e Rrugës së Arbërit, nuk e fshehin gëzimin e tyre teksa pozojnë pranë saj.
Janë vendosur elementet e fundit duke ndërtuar një nga veprat më të vështira të rrugës më të re në vend. Ura është e lartë 152 metra mbi nivelin e lumit dhe me një gjatësi prej 316 metrash.
Ura e Vashës ka marrë formë të plotë me bashkimin e shpateve të malit. Në dy anët e saj gjenden tunele, dhe përfudimi i lidhjes është një datë për t’u shënuar për projektin.
Në këtë urë janë kryer 57 mijë metër kub gërmime në shkëmb, në një terren jashtëzakonisht të vështirë, sepse ka qenë tepër e vështirë që të kryhen ato punime. Gjithashtu janë 19 mijë metër kub mbushje, 11 mijë metër kub betonime, 1100 ton hekur betoni. 2200 ton është pjesa e konstruksionit metalik që ka përfunduar.
Hapësira e dritës kryesore, ajo që lidh dy brigjet është 168 metra e gjatë. Është një rast teper unik për urat në Shqipëri, por ndoshta edhe në rajon. Pranë Urës së Vashës ndodhet një tjetër urë e ngjashme, ajo e Fshatit, e cila lidh dy shpate mali, që vazhdojnë direkt me tunele. /tirananews.al/