Të dielën e 2 tetorit do të luhet derbi Tirana-Partizani. Për të garantuar sigurinë e plotë të ngjarjes sportive, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash, përfshi edhe bllokimin tërësor të disa akseve rrugore.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:00 dhe masat do të jenë në fuqi që prej orëve të para të pasdites.
Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” , do të jenë të bllokuara prej orës 16:00.
Bllokim të pjesshëm, do të ketë ndërkaq për kalimin e kortezhit të tifozëve në disa akse.
Për kalimin e sigurt të tifozëve të Tiranës, do të bllokohet pjesërisht segmenti nga Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.
Për ata të Partiazanit, nga kryqëzimi Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.
Hyrja në stadium do të bëhet vetëm me mjet identifikimi dhe fëmijët nën 16 vjeç duhet të jenë të shoqëruar nga persona madhorë.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.