Në 4 mars u inaugurua baza ajrore e Nato-s në Kuçovë, një investim prej mbi 50 milionë eurosh i Aleancës. Kryetari i bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, shpreson që rihapja e kësaj baze të ketë ndikim edhe në ekonominë e qytetit.
“Impakti i parë është është rikonstruksioni i ish-shtëpisë së oficerave. Godina është në shrbim të ministrisë së Mbrojtjes, të Forcës Ajrore. Duke qenë se tani baza ajrore po merr kuptim pas disa vitesh që ishte e përgjumur, lindi nevoja që të rikonstruktohej edhe ish-shtëpia e oficerave. Do të ketë funksionin që ka pasur, hotel për stafin, qoftë personal ushtarak apo civil të bazës. Por kjo është një shenjë e parë dhe ne kemi pritshmëri nga zhvillimi i asaj baze. Natyrisht sot atje stafi është ai që ka qenë më përpara, por me informacionet që kemi priten zhvillime se ende aty është duke u punuar,” deklaroi në emisionin “Vendi Im” kryetari i bashkisë Kreshnik Hajdari.
Baza ajrore në Kuçovë u krijua në vitin 1939. Projektimi dhe ndërtimi i saj u bë nga italianët, dhe kjo bazë, fillimisht është përdorur si për fluturime civile, ashtu edhe për ato ushtarake. Pas vitit 1944 baza ajrore kaloi në pronësinë e shtetit shqiptar. Në prill të vitit 1951 u krijua Regjimenti i Aviacionit Ushtarak Shqiptar, ndërsa më 15 maj 1955 u themelua regjimenti i aviacionit, i koduar “Peza 23”. Në këtë kohë erdhën nga Bashkimi Sovjetik edhe avionët e parë Mig-15 dhe më pas, me radhë: avionët Mig-17, Mig-19 dhe Jak-18. Në vitin 1967-68 u ndërtua këtu uzina e riparimit të avionëve, e cila u bë edhe baza kryesore e shërbimit për ta.