Dy adoleshentë, 16 dhe 17 vjeç janë pushkatuar në Korenë e Veriut, pasi ndoqën filma nga Koreja e Jugut.
Dy të miturit janë nxjerrë sot në mes të qytetit dhe janë ekzekutuar. Banorët u detyruan të shikojnë ekzekutimin e të rinjve.
Një banor i Hyesan, qytet kufitar me Kinën, tha: “Zyrtarët e qeverisë Kim thanë se ata që shikojnë ose shpërndajnë filma ose drama koreano-jugore nuk do të falen. Njerëz të tillë do të marrin dënimin maksimal me vdekje.”
Në Korenë e Veriut çdo gjë që konsiderohet si perëndimore është rreptësisht e ndaluar. Kim Jong-un e sheh Korenë e Jugut si një shtet kukull amerikan dhe është i ndjeshëm ndaj çdo media të saj që kalon kufirin.