Juristi dhe kandidati i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Plarent Ndreca, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” ka folur në lidhje me fushatën elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas tij zgjedhjet janë jo vetëm vendore por edhe politike duke shpjeguar vendosjen e fytyrës së kryeministrit Rama në posterat e fushatës. Ai komentoi më tej posterin elektoral të Belind Këlliçit, i cili u konsiderua gjerësisht banal, duke thënë se ajo pamje ka treguar “fytyrën e vërtetë të kundërshtarit”.
“Unë jam anëtar i Këshillit Bashkiak momentalisht. Është një thirrje e natyrshme përfaqësimi i qytetarëve të Tiranës. Të qenit pjesë është punë jashtëzakonisht produktive për qytetin. Tirana është kthyer në metropol ballkanik, nga qyteti i tortës që ndahej me sapllakë.
Kjo është Tirana që duhet. Aty ku ka zhvillim dhe ka vlerë të lartë të pasurisë. Kullat janë tregues të zhvillimit që ka pasur qyteti ekonomikisht. Tirana ka pësuar zhvillim galopant dhe jemi duke u bërë pjesë e standardeve të Bashkimit Evropian. Kemi vendosur themelet e para për t’u kthyer në metropol.
Zgjedhjet janë edhe politike, prandaj është vendosur fytyra e liderit. Edhe Rama është në garë. Ka garë partish, ke dy fletë votimi. Njëra për kandidatët dhe tjetra për këshillat që vijnë nga partia. Edhe kandidatët janë politikë qartësisht. Opozita nuk e do këtë argument sepse atë që përfaqëson Këlliçi është e shkuara. Veliaj është në Tiranë në çdo televizion përditë. Këto janë strategji fushate. Ne kemi çfarë të shfaqim, nuk fshihemi. Problemi është për ata që fshihen. As Këlliçi vetë nuk e di kë përfaqëson.
Rama është gjithë kohës në detyrë, nuk quhet e shkuar ai që zgjidhet. E shkuara quhet ai që merr shpulla figurative dhe largohet nga qytetarët. Ne nuk djegim mandatet apo i largohemi përgjegjësisë. Aty kemi dy fytyra që kanë marrë shpulla nga qytetarët dhe ka urrejtje për këto figura të vjetra të politikës. Këto do i marrë në shpatulla Këlliçi që e ka marrë përsipër. Do marrë kostot e veta politike. Nga ai kam dëgjuar dy premtime skandaloze. Biletat falas dhe një vrimë në bulevard. Kjo është ide shumë teknike që bëhet nga ata që me premtime surreale tentojnë të bëjnë njerëzit t’i besojnë se bëhen. Sot Tirana ka plan urbanistik të kryer nga Stefano Boeri, gjithçka bazohet në plan. Ka kritere të caktuara për gjërat që bëhen. Këto premtime surreale janë tipike të dikujt që s’ka pasur punë në dorë. Të thuash që kjo bëhet për 180 ditë, do të thotë se jeton në planet tjetër, në atë të non-gratës.
Para se ta premtosh këtë duhet të tregosh se ke këllqet për këtë dhe për këtë duhet të përfaqësosh gjënë e duhur. CV-ja e subjektit që përfaqëson ai nuk shton asgjë përveç mëkateve të tyre. Në kohën e komunizmit gjithçka ishte falas, vetëm urbani ishte me lekë. Ky do e bëjë më komuniste se Enver Hoxha. Paratë do merren nga buxheti i bashkisë, pra nga xhepi ynë. Do paguajë edhe ai që nuk e përdor transportin pubik. Nuk është aspak e drejtë kjo. Shërbimin e paguan ai që e merr këtë të fundit. E premton ai që është i dëshpëruar për të marrë ca vota më shumë.
Veliaj do dalë shpejt me planin e detajuar, do ketë një album që do sqarojë çdo gjë që mendojmë të bëjmë në mandatin e tij të fundit. Për mua pika më e fortë është mbyllja e Unazës së Madhe dhe një unazë tjetër për ujësjellësin. Ajo mbyll problematikën e ujit në vend. Ka investime të tjera në infrastrukturë. Posteri i sotëm i Belind Këlliçit tregon fytyrën e vërtetë të kësaj opozite. Nga dy gishtat tani nxjerr një gisht”, u shpreh Ndreca.