Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka rishikuar testin e patentës, duke hequr nga lista 1000 pyetje të konsideruara si ngatërrestare. Gjithashtu, ky dikaster bën me dije se 1500 pyetje të tjera janë korrigjuar, pasi kishin në përmbajtje të tyre gabime drejtshkrimore apo edhe fjalë tepër. Marrja e këtyre masave erdhi pas një rishikimi të 4870 pyetjeve zyrtare të testit teorik, pas një shqetësimi të vazhdueshëm të aplikantëve të rinj të cilët në shumë raste jepnin përgjigje të gabuara për shkak të pyetjeve problematike.
Rishikimi i testit u paralajmërua më herët edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, i cili në një intervistë për TV SCAN deklaroi se deri më tani ka patur pyetje, që ngatërronin aplikantët apo nuk përshtateshin me realitetin e qarkullimit të automjeteve në vendin tonë. Ndërkaq, një tjetër risi në drejtim të testimit për pajisje me leje drejtim lidhet me monitorimin live të të gjithë procesit në 13 drejtoritë rajonale.
Sipas DPSHTRR-së tashmë specifikimet dhe financimi për sistemin e ri të monitorimit online janë gati. Paralelisht, aplikantët mund të ushtrohen edhe online, në faqen zyrtare të institucionit për testimin teorik, një shërbim që deri më tani nuk ishte i mundur.