Qeveria ka ndryshuar vendimin e datës 6 prill, për garancinë sovrane të bizneseve të prekur nga COVID-19. Në Fletoren Zyrtare janë botuar ndryshimet dhe bëhet me dije se bizneset që do aplikojnë për kredi, nuk duhet të kenë probleme financiare të mëparshme me bankat.
“Huamarrësi nuk duhet të këtë kredi me probleme (këto sipas definicionit të rregullores së Bankës së Shqipërisë nr.62, datë 14.9.2011 ‘Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”, të ndryshuar), në muajin shkurt 2020’”, shtohet në vendim.
Po ashtu bëhet me dije se nuk do të gjenerohen dhe nuk do të rimbursohen interesa për më shumë se 30 ditë pa pagesë principali nga data që i ka lindur detyrimi Huamarrësit për të paguar principalin sipas Marrëveshjes së Huasë. Nga ana tjetër huadhënësi çdo 90 ditë nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të dërgojë pranë MFE kërkesën për rimbursimin e interesave (“Kërkesa për rimbursim”) në formë elektronike dhe të shkruar.
Huadhënësi do të ofrojë Huanë me një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast norma e interesit nuk do të jetë më e lartë se 2.85%. Kjo normë interesi do të fiksohet në momentin e nënshkrmit të Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Huadhënësit dhe Huamarrësit dhe do të qëndrojë e pandryshuar deri në përfundimin e afatit të Huasë.